Në një takim të rëndësishëm të mbajtur në zyrat e Thesarit të Kosovës, përfaqësues të Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës (OPPK) dhe Thesarit diskutuan sfidat dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Qëllimi kryesor i takimit ishte koordinimi dhe dialogu për të eliminuar vonesat dhe keqkuptimet gjatë procesit të ekzekutimit të urdhrave përmbarimorë. Si përgjigje ndaj këtyre sfidave, Thesari propozoi disa hapa konkretë për të përmirësuar procesin.
"Duke filluar nga 1 gusht 2025, zyrat përmbarimore do të kenë mundësi të kontaktojnë drejtpërdrejt përmes email-it Zyrtarët Kryesorë Financiarë (ZKF) të organizatave buxhetore. Ky mekanizëm i ri do t'u mundësojë përmbaruesve të verifikojnë statusin e lëndëve, të përcjellin transaksionet dhe të parandalojnë inicimin e rasteve të dyfishta..
Një tjetër çështje e ngritur ishte nevoja për unifikimin e numrave të lëndëve, pasi përdorimi i numrave të njëjtë nga përmbarues të ndryshëm shkakton probleme teknike në sistemin e Thesarit. Duke adresuar ankesat për vonesa, Drejtori Koca siguroi se çdo urdhër përmbarimor trajtohet në mënyrë të barabartë dhe procedohet sipas radhës së pranimit për secilën organizatë buxhetore. Ai shpjegoi se vonesat aktuale, janë pasojë e volumit të madh të punës dhe jo e ndonjë trajtimi preferencial.
Nga ana e tij, Kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Z. Mehdi Reshani, shprehu gatishmërinë e plotë të Odës për të thelluar bashkëpunimin dhe për të adresuar të gjitha shqetësimet e ngritura. Ai theksoi se Oda është e përkushtuar për të lehtësuar procesin e ekzekutimit në një afat sa më të arsyeshëm, duke pasur gjithmonë si prioritet respektimin e ligjit dhe interesin e qytetarëve. Takimi u përmbyll me një notë konstruktive, ku Drejtori i Thesarit falënderoi përfaqësuesit e Odës dhe rikonfirmoi zotimin e Thesarit për të ekzekutuar të gjithë urdhrat e plotfuqishëm, duke njoftuar organet përmbaruese në rastet e veçanta kur organizatat buxhetore nuk kanë fonde të mjaftueshme.